|
|

Prof. dr. Fadil Sulejmani është i lindur më 5.XII.1940 në katundin Bozovcë të malësisë së Tetovës.
Shkollimi
Në Bozovcë dhe Tetovë e ka mbaruar shkollimin fillor, në qytetin e Prizrenit Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe në Prishtinë Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Në Beograd i ka kryer studimet pasdiplomike dhe është magjistruar. Në Prishtinë është doktoruar në shkencat filologjike-Albanologji.
Puna pedagogjike-profesionale
Një vit ka punuar si arsimtar i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Shkollën Eksperimentale tetëvjeçare të katundit Kastriot afër Prishtinës dhe dy vjet si profesor i gjuhës latine në Gjimnazin e Mitrivocës së Kosovës.
Nga viti 1971 e deri më 1994 ka punuar si profesor i rregullt i gjuhës shqipe-Morfologji, Fonetikë, Sintaksë…, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.
Prej vitit 1994/95 punon si profesor i rregullt i gjuhës shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës në Tetovë.
Publikimet dhe artikujt
Krahas punës edukuese dhe arsimore si pedagog në fakultet, prof. F. Sulejmani, është marrë intensivisht edhe me krijime profesionale-shkencore, duke shkruar dhe publikuar një numër librash, kryesisht nga gjuha shqipe, dialektologjia, etnografia shqiptare, gjuha gjermane etj., siç janë: 1. “E mbsuame e krështerë e Lekë Matrëngës” (Monografi për jetën dhe veprën e këtij autori arbëresh të Italisë); 2. “Praktikumi i gjuhës shqipe”; 3. “Lindja, martesa dhe vdekja në Malësitë e Tetovës”; 4. “Njohuri themelore për Gjermaninë dhe popullin e saj”; 5. “Fonetika e gjuhës gjermane”; 6. “Morfologjia e gjuhës gjermane”; 7. “Hap historik i Universitetit tonë”, si dhe disa libra të tjerë që janë në përgatitje e sipër për botim, si: 8. “E folmja e Malësisë së Sharrit të Tetovës”; 9. “Toponimia e tri malësive të Tetovës”; 10. “Sintaksa e gjuhës gjermane” etj.
Ai Ka shkruar edhe disa dhjetra artikuj të ndryshëm profesional-shkencorë, kryesisht nga fusha e albanistikës.
Gjithashtu ka shkruar edhe një numër artikujsh publicistikë nga fusha të ndryshme të jetës dhe punës shoqërore, politike, kulturore dhe shkencore për çështje të ndryshme të shqiptarëve në Maqedoni.
Specializimet
Më vitin 1979 ka fituar bursën e Fondacionit të Aleksandër Humboltit në Gjermani. Si bursist i këtij Fondacioni ka specializuar dy vjet në kuadër të Institutit të Gjuhësisë në Bon, ku ka bashkëpunuar me profesorin e mirënjohur dr. Johan Knobloch.
Ka qenë një vit në specializim edhe në Itali, në Romë.
Njohja e gjuhëve të huaja
Njeh gjermanishten dhe italishten.
Kontribite të veçanta shoqërore
Më vitin 1990 në Shkup ka organizuar simpoziumin nacional “Shqiptarët e Maqedonisë”, kushtuar çështjes së shqiptarëve në Maqedoni për liri, barazi dhe demokraci.
Më 1990 ka formuar Këshillin për Pajtimin e Gjaqeve dhe, duke qenë në krye të tij dhe në bashkëpunim me intelektualë të tjerë, kanë pajtuar vetëm në komunën e Tetovës afër 100 familje për zënie e ngatërresa të ndryshme dhe kanë bërë që të falen mbi 50 gjaqe midis shqiptarësh.
Themeilimi i institucioneve kulturore dhe arsimore-shkencore
Më vitin 1991 bashkë me intelektualë të tjerë ka themeluar në Maqedoni Bashkësinë Kulturore Shqiptare me seli në Tetovë. Kjo shoqatë ka luajtur një rol me rëndësi në hulumtimin dhe kultivimin e kulturës shpirtërore dhe materiale të shqiptarëve në Maqedoni.
Më vitin 1994 ka themeluar Universitetin e Tetovës dhe bashkë me intelektualë të tjerë dhe me ndihmën e popullit shqiptar kanë arritur që këtë universitet ta mbajnë gjallë deri më sot.
Shteti sllavomaqedonas me qëllim që ta pengojë edukimin dhe arsimimin e plotë të shqiptarëve në Maqedoni dhe krijimin e kuadrove të tyre të nevojshme ka qenë kundër themelimit të Universitetit të Tetovës dhe për ta ndalur punën e tij e ka sulmuar vazhdimisht këtë universitet me mjete dhe mënyra të ndryshme të dhunës dhe represionit mbi pedagogët, studentët dhe qytetarët e tjerë që e përkrahnin atë.
Prof. F. Sulejmanin si ideator dhe themelues të Universitetit të Tetovës pushteti sllavomaqedonas e dënoi me dy vjet e gjysmë burgim. Me intervenimin e faktorit ndërkombëtar Gjykata e Lartë sllavemaqedonase ia fali një vit e gjysmë, kurse një vit burgim e ka vuajtur në burgjet e Maqedonisë: në Shkup, Manastir dhe Tetovë.
Gjithashtu për themelimin dhe mbijetesën e Universitetit të Tetovës mbi dhjetë herë ka qenë i arrestuar, i izoluar dhe i maltretuar psikikisht dhe fizikisht nga policia sllavemaqedonase, e cila ia rrënoi me bolduzher edhe shtëpinë familjare.
Postet
Prof. F. Sulejmani është kryetar i Bordit të Universitetit të Tetovës.
Prej vitit 1991 dhe deri më 1994 ka qenë kryetar i Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni.
Prej vitit 1994 dhe deri më 2003 ka qenë Rektor i Universitetit të Tetovës.
Dekoratat, çmimet dhe mirënjohjet
Për punën humane dhe me shumë sakrifica që ka bërë për themelimin dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës, Senati i këtij universiteti më 25 nëntor 2002 i ka dhanë prof. F. Sulejmanit titullin më të lartë akademik “Rektor Nderi i Universitetit të Tetovës”, kurse më 17 Dhjetor 2002 është shpërblyer nga ky Senat me medalien e artë “Nderi i Universitetit të Tetovës”, që është çmimi më i lartë në këtë universitet.
Gjithashtu për arritjet e tij në arsim, edukim, shkencë dhe kulturë, si dhe në themelimin dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës, ai ka marrë shumë mirënjohje dhe diploma nderi nga disa shoqata, klube dhe institucione shqipatre në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe në diasporë.
Referenca: Material nga webfaqja zyrtare e Universitetit të Tetovës
|
|