|
SHEMBËLLTYRA E J.B.TITOS NË KËNDVËSHTRIMIN E IBRAHIM RUGOVËS
Klasa politike dhe elita intelektuale e regjimit komunist në Kosovë! Dihet mirëfilli, se gjatë periudhës së Jugosllavisë së AVNOJ’it (1945 - 1990), rrjedhimisht parimet themelore të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe të organeve tjera të regjimit, janë ndërtuar mbi bazën e “fryteve të revolucionit jugosllavë, të vëllazërim - bashkimit, e të besnikërisë ndaj Jugosllavisë Socialiste Federative e Vetëqeverisëse të J.B.Titos”. Mbi këto parime është ngritur e ndërtuar i gjithë sistemi politikë e shoqëror edhe në Kosovë. Për më tepër, mbi këtë frymë u brumos edhe një klasë politike shqiptare. Kjo klasë komuniste - titiste që përbëhej nga: Mehmet Hoxha, Fadil Hoxha, Ali Shukria, Veli Deva, Kolë Shiroka, Xhavit Nimani, Xhevdet Hamza, Imer Pula, Sinan Hasani, Mehmet Maliqi, Rrahman Morina, Mahmut Bakalli, Azem Vllasi e shumë të tjerë, me kohë kishte profilizuar edhe një elitë intelektuale shqiptare, e cila fillimisht kishte kaluar nëpër “sita” të organeve të pushtetit, për të dhënë prova lojaliste ndaj doktrinës titiste. Kjo elitë intelektualësh duke qenë anëtarë të devotshëm të LKJ’së, vazhdimisht ka vepruar nën ombrellën e regjimit dhe në këtë kuadër përveç punës “shkencore e mediale” që kryente në institucionet akademike - shkencore dhe në mjetet e informimit publik, ato bartnin edhe funksione politike në këto institucione. Dhe, njëri nga intelektualët elitar të partisë dhe të regjimit komunist në këtë periudhë, padyshim ishte edhe Kryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe presidenti “historik” i Kosovës Ibrahim Rugova.
Kontrolli mbi mediat..., nga elita intelektuale komuniste! Pas plenumit të IV të KQ të LKJ’së të mbajtur më 1 korrik 1966 në Brione, Kosova filloj të frymojë pak më lirshëm dhe nisi të kritikohej ashpër periudha e Rankoviqit (1949 - 1966), mirëpo në vitet 70’të e tutje, klasa komuniste - burokratike e Kosovës ndikoj që ky trend të ndërpritet, me arsyetimin se duhet të harrohen plagët e së kaluarës dhe t’i kthehemi ardhmërisë! Puna e parë që bëri kjo kastë politike ishte vënja nën kontroll e të gjitha mjeteve të informimit publik në Kosovë, përmes kësaj elite intelektuale, e cila në mënyrë servile (si altoparlant) i shërbente politikës ditore të regjimit titist. Atë kohë në Kosovë përveç gazetës “Rilindja” si organ partiak, botoheshin edhe disa revista kulturore, letrare e shkencore në gjuhën shqipe, si: “Gjurmime albanologjike”, “Në flakën e revolucionit”, “Kosova - Kosovo”, “Jeta e re”, “Përparimi”, “Bota e re”, “Dituria”, “Fjala”, “Zëri i rinisë” etj. Nga mesi i viteve 70’të sistemi medial - informativ gjegjësisht tri shtëpitë botuese - informative “Rilindja” shqipe, “Jedinstvo” sebe dhe “Tani” turk si dhe Radio e Televizioni i Prishtinës - RTP, u bashkuan në një institucion të njëzëshëm - integral të quajtur OPGBG - RILINDJA, e cila drejtohet nga Kolegjiumi i përgjithshëm i redaksive. Ky kolegjium i intelektualëve elitarë, përbëhej nga eksponentë të drejtpëdrejtë të strukturave politike të regjimit komunist, dhe kishte për detyrë t’i përpunonte dhe harmonizonte të gjitha kriteret e politikës redaktoriale të kësaj shtëpie të madhe. Ndërkaq, në nivel të gazetave dhe të revistave punonin redaksitë me një kryeredaktor kukull që përfaqësonte opinionin publik të dizajnuar nga lartë!
Pas demonstratave të pranverës së vitit 1981 dhe miratimit të Platformës politike të KQ të LKJ’së për Kosovën (nëntor 1981), në mjetet e informimit publik në gjuhën shqipe u aplikua një mobilizim i jashtëzakonshëm. Fillimisht u formuan komisionet e diferencimit ideo - politik, të cilat bënë spastrimin e parë në garniturat udhëheqëse (në RTP, Rilindje e në revsita), pastaj u formuan shtabet e ashtuquajtura të aksionit për agjitacion dhe propagandë (agjitpropi) kundër nacionalizmit, irredentizmit dhe seperatizmit shqiptar, dhe mbi të gjitha u përcaktuan qartë obligimet e elitës intelektuale dhe të punëtorëve shkencorë - më të njohur të partisë e të pushtetit, që ta mbrojnë e zbatojnë me përpikëri kursin politikë të LKJ’së për Kosovën! Dhe, ky kurs i dëgjueshmërisë intelektuale ndaj regjimit ka vazhduar me oscilime të kohëpaskohshme, gjer në fund të viteve 80’të. Ibrahim Rugova, anëtar i LKJ’së dhe specialist i kritikës letrare Karierën e intelektualit elitar, Ibrahim Rugovës e nis si student në Fakultetin Filozofik të Prishtinës - dega e Albanologjisë. Ai, ndonëse ishte student i dalluar, u shqua edhe si aktivist i zellshëm i Lidhjes së Rinisë Socialiste të Jugosllavisë (LRSJ’së). Pas një kohe, mishërimi i tij me politikën e LKJ’së dhe për më tepër përkushtimi dhe bashkëpunimi me strukturat e pushtetit komunist, ka ndikuar që të bëhet anëtar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (LKJ’së). Duke qenë student dhe aktivist i dëshmuar i LRSJ’së, Ibrahim Rugovës iu besua detyra e redaktorit në gazetën studentore “Bota e Re”, ndërsa pas diplomimit në Fakultetin Filozofik (1971) ishte edhe redaktor i revistës “Dituria” (1971 - 1972). Qysh në fillim të viteve të 70’ta, Ibrahim Rugova u shqua në fushën e kritikës letrare dhe në këtë drejtim ka shkruar disa libra, dhe si kryevepër e tij vlerësohet libri për Pjetër Bogdanin. Në këtë drejtim, në vitin 1976/77 ai specialiohet në fushën e teorisë letrare në Paris, tek prof. Roland Barthesi. Ibrahim Rugova Sekretar i LKJ’së dhe diferencues i atyre që përkrahën kërkesën “Kosova Republikë!” Ibrahim Rugova për afër dy dekada rresht, punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë edhe kryeredaktor i revistës "Gjurmime albanologjike", që e nxirrte ky Institut. Ibrahim Rugova përveç punës shkencore, në IA ka ushtruar edhe një funksion politik-pushtetor, atë të sekretarit të LKJ’së. Duke qenë në krye të kësaj organizate partiake, ai pas demonstratave të mars - prillit 1981 i ka funksionalizuar platformat politike të KQ të LKJ’së për Kosovën. Si rrjedhim, në këtë situatë të jashtëzakonshme nëpër të cilën po kalonte populli shqiptar në Kosovë, Ibrahim Rugova ka pranuar të vihet në krye të komisionit për diferencim ideo - politik. Ky komision është marrë me diferencimin e të gjithë punëtorëve shkencor në IA, të cilët në forma të ndryshme kanë përkrahur apo janë solidarizuar me kërkesën studentore “Kosova Republikë!”, dhe për këtë aktivitet ka shkruar edhe shtypi i kohës: “Rilindja”, ”Jedinstvo”, „Politika“ etj. Kështu, ta zëmë, në gazetën „Rilindja“ të datës 30 shtator 1982 në artikullin me titull „Akademikut dr.Rexhep Qosja iu shqiptua vërejtja partiake“, Kryetari i komisionit për diferencim Ibrahim Rugova në diskutimin e vetë theksoi se „procesi i diferencimit duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i gjithanshëm, kurse sa i përket masës së propozuar, si anëtar i sekretariatit të OTH të LK propozoj që Rexhep Qosjes t'i shqiptohet masa - vërejtja partiake, sipas propozimit të grupit të punës të të dy kryesive, të cilin e kemi miratuar edhe ne“.!!
* * * Në biografinë zyrtare të Ibrahim Rugovës thuhet se: “Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain e tij, Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës”. Për mënyrën se si janë vrarë babai dhe gjyshi i I.Rugovës kam lexuar edhe shumë versione të tjera, por nëse e marrim si të vërtet dhe të padiskutueshëm këtë version, atëherë natyrshëm shtrohet dilema: Si ishte e mundur që Ibrahim Rugova, (të cilit komunistët jugosllavë të Titos ia kishin vrarë të atin dhe gjyshin si antikomunist), qysh në rininë e tij studentore të përqafojë idetë komuniste përmes aktivitetit të tij në LRSJ’së, dhe më vonë të pranohet si anëtar i LKJ’së, dhe si i tillë t´i gëzonte pastaj të gjitha privilegjet intelektuale, politike etj., po nga ky regjim antishqiptar?! Ndërkaq, nga dëshmitë historike kemi mësuar se, mijëra fëmijë të atdhetarëve shqiptarë, (të cilët u burgosën, u vranë e u persekutuan pas luftës së dytë botërore, nga regjimi i Titos), përveç që u mohohej e drejta e shkollimit, ata edhe përndiqeshin këmba - këmbës nga syri e veshi i UDB’së, ndërsa familjet e tyre bënin jetë të rëndë me etiketimin si “armiq të rrezikshëm të sistemit jugosllavë, të vëllazërim - bashkimit” etj.,etj!!! Shembëlltyra e J.B.Titos në studimet e Ibrahim Rugovës! Ibrahim Rugova krahas punës në fushën e kritikës letrare në Institutin Albanologjik të Prishtinës, me përkushtim ka shkruar edhe studime shkencore-letrare kushtuar shëmbëlltyrës së “Marshallit” Josip Broz Tito. Më 9 e 10 dhjetor të vitit 1977, kur në Prishtinë u mbajt simpoziumi me moton: “Tito për Kosovën, Kosova për Titon / Tito o Kosovu, Kosovu o Titu”, Ibrahim Rugova mbajti referatin kryesor me titull: “Tito në letërsinë shqipe në Jugosllavi”. Në këtë studim “shkencor”, Ibrahim Rugova kryetarin Tito e cilësonte si njeri “gjenial”, “si simbol i së Mirës, i heroit, i mësuesit dhe i edukuesit”, dhe sipas tij ai “gëzon një unanimitet të jashtëzakonshëm e të përgjithshëm, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit (Jugosllavisë), çfarë e gëzonte vetëm Lenini”. Për më tepër Ibrahim Rugova në këtë studim ndër të tjera thekson se: “Tito, duke qenë vazhdimisht në krye të shoqërisë sonë, krijoi një liri të vërtetë arti e krijimi në kuptim të realizimit të plotë të lirisë, çfarë nuk gjendet në ndonjë vend tjetër socialist, e cila ishte e pranishme vetëm në kohën e Leninit, kurse te ne kjo u bë parim shoqëror e kulturor”. Në vitin 1979 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës të gjitha studimet kushtuar Josip Broz Titos i botoj në një libër voluminoz, me të njejtin emër “Tito për Kosovën, Kosova për Titon / Tito o Kosovu, Kosovu o Titu”, dhe studimi i Ibrahim Rugovës u botua në faqet 407 - 410 të këtij libri. Ndërsa pas demonstratave të pranverës 1981, ky studim u botua edhe në revistën “Zërin e rinisë” të 16 e 23 majit 1981 në faqet 20-21.
Lexoni të plotë studimin e Ibrahm Rugovës:
Cila ishte fytyra e vërtet e Titos për shqiptarët?! Ndërsa Josip Broz Tito, për Ibrahim Rugovën dhe elitën intelektuale titiste të cilës i takonte ai, ishte “simbol i së mirës, i heroit, realizues i plotë i lirisë”..., nuk mund të thuhet (në asnjë mënyrë) se ishte i tillë edhe për popullin e përvuajtur shqiptar, përkundrazi ai ishte përdhunues i lirisë dhe i dinjitetit tonë kombëtar. Për të argumentuar këtë gjë, po i referohem disa fakteve historike: Dihet mirëfilli se pas Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar në Kosovë dhe në vise të tjera etnike (që mbetën padrejtësisht jashtë kufijve të Shqipërisë londineze), u persekutua në format më mizore nga regjimi jugosllav i Titos. Tito me shtabin e tij gjakatarë, nga viti 1944 e këndej, ka përndjekur, burgosur, vrarë e ekzekutuar mijëra shqiptarë, të cilët nuk u pajtuan me sundimin e Jugosllavisë së re të AVNOJ’it dhe si ideal patën bashkimin kombëtar. Sipas të dhënave arkivore të atdhetarit Xheladin Hana (i cili më 15.12.1948 vritet mizorisht nga UDB’a famëkeqe), rezulton se deri në vitin 1947 OZN’a dhe forcat pushtuese ushtarake jugosllave të drejtuar nga J.B.Tito, kanë vrarë mizorisht rreth 86.000 shqiptarë, prej të cilëve 36.000 në Rrafshin e Kosovës; 23.000 në Rrafshin e Dukagjinit dhe 27.000 të tjerë në trevat etnike shqiptare në Maqedoni. Gjatë kësaj periudhe janë kryer 220.000 bastisje në familjet shqiptare (duke i përfshirë këtu edhe bastisjet e përsëritura në të njëjtat familje); Pastaj mbi 200.000 shqiptarë kanë kaluar nëpër duartë e OZN’ës famkeqe si dhe janë zhvilluar tetë operacione me përmasa të gjera ushtarake të ndihmuar edhe nga OZN’a (më vonë UDB’a) dhe të gjitha këto operacione janë kryer, kundër shqiptarëve, por jo edhe ndaj serbëve, malazezëve apo maqedonasve.
J.B.Tito dhe Aleksander Rankoviqi Ishte Tito ai, që në shkurt 1953, në Split të Kroacisë, me ministrin e jashtëm turk Fuad Kyprili, nënshkroi “marrëveshjen gjentelmene” me anë të së cilës ripërtëriu konventën jugoslave - turke të vitit 1938, për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi; Ishte Tito ai, që për realizimin e kësaj marrëveshjeje antishqiptare ngarkoi ministrin e brendshëm federativ, famëkeqin Aleksandër Rankoviç, ku ky i fundit pastaj themeloi një shtab operativ të përbërë nga oficerë e udbashë të sprovuar kundër shqiptarëve; Dhe ky Shtab i Tito-Rankoviqit duke përdorur të gjitha strukturat shtetërore (në nivelë federativë, republikan e krahinor), në periudhën 1953-1966 i detyroi me dhunë të shpërngulen 452. 371 shqiptarë për në Turqi; Dhe kjo shpërngulje është bërë me këtë dinamikë: Më 1952 ---------------------------- 37.000 veta Më 1953 ---------------------------- 19.300 “ Më 1954 ---------------------------- 17 500 “ Më 1955 ---------------------------- 51.000 “ Më 1956 ---------------------------- 54.000 “ Më 1957 ---------------------------- 57.710 “ Më 1958 ---------------------------- 41.300 “ Më 1959 ---------------------------- 32.000 “ Më 1960 ---------------------------- 27.980 “ Më 1961 ---------------------------- 31.600 “ Më 1962 ---------------------------- 15.910 “ Më 1963 ---------------------------- 25.720 “ Më 1964 ---------------------------- 21.530 “ Më 1965 ---------------------------- 19.821 “... Ndërkaq gjatë kësaj periudhe kohore me dhunë detyrohen të shpërngulen edhe mijëra shqiptarë, kryesisht nga trojet etnike shqiptare në Mali të Zi (nga Hoti, Gruda, Plava, Gucia, Vuthaj, Ulqini, Tivari, Triepshi, Shpuza, Kraja etj.) për në SHBA, Kanada, Australi e vende të tjera tejoqeanike, Shtabi i Tito-Rankoviqit ishte ai që në dimrin e acartë të vitit 1955/56 shpiku aksionin për mbledhjen e armëve, ku gjatë ekspeditave të policisë - UDB’së, në format më çnjerëzore i rrahu, u keqtrajtoi e i persekutoi mbi 30 mijë shqiptarë. Në këtë operacion kriminal shtetëror UDB’a i mbyti me torturë 103 shqiptarë, ndërsa 10 mijë të tjerë u gjymtuan për jetë. Dhe ky aksion famëkeq kishte nisur pikërisht nga fshatrat e trevës së Rugovës, atje ku kishte lindur dhe kaluar një pjesë të rinisë edhe vetë Ibrahim Rugova. Josip Broz Tito - ky “simboli i së mirës” të Ibrahim Rugovës, ishte ai që në periudhën 1945-1966 burgosi e dënoi mbi 280 mijë atdhetarë shqiptarë, ndonëse burgosjet e shqiptarëve nuk u ndalën dot deri në vitin 1999. Dhe po t´i referohemi të dhënave policore jugosllave, del se vetëm gjatë viteve 1979-1991 qenë burgosur e keqtrajtuar rreth 900 mijë shqiptarë, prej tyre 750 mijë në Kosovë dhe 150 mijë të tjerë në Maqedoni, Mal të Zi, në Kosovën Lindore etj. ... Për më tepër lexoni disa të dhëna: Ndjekjet, burgosjet dhe persekutimi i shqiptarëve nga regjimi i Titos, gjatë viteve 1948 - 1968 Kjo është fytyra e vërtetë e Josip Broz Titos, i këtij simboli “të së mirës, i heroit, i mësuesit dhe i edukuesit” të presidentit “historik” Ibrahim Rugova. * * * |
|
© Pashtriku.org, Janar’2012 |